(+355)674055500     info@myticket.al

Biletat online për Sitet e Trashëgimisë Kulturore


Kalaja e Shkodrës

Kalaja e Shkodrës (Rozafa) është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Kjo kala është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës por dhe nga udhëtarët e shumtë, e rëndësishme jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave historike të një populli, i cili ka një histori të hershme.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi"

Brenda tij gjendet thesari i dinastisë së Marubëve, i cili përmbledh foto të bëra që nga themelimi i studios më 1856 dhe deri në vitin 1989. Arkivi i Fototekës përmban rreth 500 mijë fotografi, të gjitha prej negativi, në xham dhe në rula film. Familja Marubi përcolli përmes fotografive periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, si gjatë periudhës së perandorisë osmane, periudhës së Mbretit Zog dhe regjimit komunist. Aktualisht, ruhen edhe objekte muzeale, si aparate fotografike, llamba, blice të ndryshme, karrige dhe sende të tjera të studios, ku ushtruan aktivitetin përfaqësuesit e familjes Marubi.

Kalaja e Gjirokastrës

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Kulmin e historisë së saj kjo Kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Parku Kombëtar i Butrintit

Butrinti, ose me emrin e lashtë Buthrotum, shtrihet në jugperëndim të Shqipërisë, 20 km në jug të portit të Sarandës. Ky sit, u shpall Monument Kulture që në vitin 1948. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s. Krijimi i Parkut Kombëtar u bë një domosdoshmëri, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Ky Park është një destinacion që duhet të vizitohet patjetër nga adhuruesit e historisë së lashtë. Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut dhe konsiderohet si një "mikrobotë e historisë shqiptare".

Parku Arkeologjik Apolloni

Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Qyteti e mori emrin për nder të perëndisë Apolon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Arkeologët e quajnë Apoloninë "Pompei i Shqipërisë", pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot. Themeluar rreth fillimit të shek. të IV p.e.s. gërmadhat e Apolonisë u zbuluan në fillim të shek. XIX. Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë si dhe pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër e bëjnë Parkun Arkeologjik të Apolonisë lehtësisht të arritshëm për vizitorin dhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri.

Muzeu Kombëtar "Gjergj Kastrioti" Krujë

Muzeu u ndërtua në Kalanë e Krujës, si kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikimi i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale dhe riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavijone të tilla si: pavijoni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.

Muzeu Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit, i cili është inauguruar më 28 Tetor 1981. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjecari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar i tillë, që prezantimi të bëhet nëpërmjet tetë pavijoneve: Pavijoni i Lashtësisë; Pavijoni i Mesjetës; Pavijoni i Rilindjes Kombëtare; Pavijoni i Pavarësisë; Pavijoni i Ikonave; Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional-clirimtare; Pavijoni i Terrorit Komunist; Pavijoni i Nënë Terezës. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

Muzeu Kombëtar ikonografik "Onufri"

Muzeu Kombëtar Ikonografik, "Onufri", institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Kulturës ushtron aktivitetin e tij në kishën e rindërtuar në vitin 1797 në Lagjen Kala, e cila ka qenë katedralja e qytetit. Katedralja është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh, që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, të cilat i përkasin piktorëve ikonografë shqiptarë që krijuan në shekujt XIV. Muzeu ka tri salla kryesore, në të cilat janë të ekspozuara veprat më të mira të autorëve.. Në vitrina janë të ekspozuara edhe disa tekstile dhe objekte metalike, të cilat dëshmojnë për një traditë artizanale të një niveli të lartë të Trevës së Beratit.

Kalaja e Beratit

Konsideruar si qyteti i "Një mbi një dritareve", qyteti 2400 vjecar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Europës Juglindore. Një nga monumentet më të bukur, më madhështor dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare është padyshim kalaja e Beratit. E ngritur në një kodër 187 m të lartë, në të majtë të grykës së Lumit Osum, ajo u shndërrua në qytet kështjellë me mure që arrinin në gjatësi deri në 1.400 metra dhe me një sipërfaqe prej 10 ha. Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborri të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh dhe shtëpi banimi, të cilat përbëjnë lagjen e quajtur "Kala".

Muzeu Ethnografik në Krujë

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanve, e cila është një ndërtesë e tipit "cardak" e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I-rë, unik në trevat Ballkanike. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. Nëpërmjet mjediseve të brendshme, si edhe objekteve të paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e traditës së zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe i mënyrës së jetesës, duke filluar që 300 vjet përpara. Autenticiteti i objekteve të këtij muzeu si objektet prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi dhe qëndismat e ndryshme e bëjnë muzeun një nga destinacionet të rëndësishëm të promovimit të vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjecare.